29/10/2014

SHQIPËRIA, MË E EKSPOZUAR SE KURRË NDAJ HUMBJES DHE DENATYRIMIT TË TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE


Julia Vrapi
29 Tetor 2014

“Edukimi i brezave përmes Trashëgimisë Kulturore Jomateriale” erdhi si organizim i një takimi ndërinstitucional me institucione që kanë si pjesë të objektivave të punës së tyre edhe trashëgiminë jomateriale. Takimi që u zhvillua me specialistë të fushës së trashëgimisë pati në vëmendje evidentimin e problematikave në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale si humbja dhe lënia në harresë e instrumenteve popullorë; tjetërsimi i muzikës popullore dhe kostumeve tradicionalë shqiptarë; mungesë informacioni tek të rinjtë lidhur me TKJ, etj.

Në këtë tryezë merrnin pjesë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, studiuesit e fushës akademik Vaso Tole, prof.dr. Miaser Dibra, prof.dr. Agron Xhangolli, prof.dr. Zana Shuteriqi, eksperti Nikolai Vukov, etj. Tryeza u fokusua dhe në aspektin praktik, me qëllim zbatimin e direktivave të Konventës së UNESCO-s në funksion të mbrojtjes dhe përcjelljes ndër breza të TK. Për akademikun Vaso Tole, edukimi përmes trashëgimisë është vetëm njëri prej elementeve që kanë të bëjnë me ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore.

Sipas tij, ato përfshijnë edhe jetëzimin e trashëgimisë, mbajtjen gjallë të saj; transmetimin, ku përfshihet edhe edukimi përmes trashëgimisë; inventarizimin, i cili përfshin ndërtimin e disa llojeve inventarësh dhe katalogësh të TKSH-së, si dhe studimin shkencor.“Shqipëria sot është më e ekspozuar se kurrë ndaj rrezikut të humbjes dhe denatyrimit të trashëgimisë së saj mijëravjeçare. Krahas iniciativave për hartimin e një ligji të ri kushtuar gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore shpirtërore, është koha që për çështjen e edukimit përmes trashëgimisë në vend, të implementohen standardet e dokumenteve të ngjashme, siç është rasti i “Road map for arts education”, dokument i UNESCO-s. Aktualisht që po flasim ende nuk kemi të aprovuar një dokument politikash dhe një skemë të integruar të zbatimit të saj, pavarësisht faktit se elemente të edukimit përmes trashëgimisë i konstatojmë të ndërfutura në kurrikulat shkollore në shkollat 9-vjeçare dhe në gjimnaz dhe i dëgjojmë të artikulohen si prioritete ”, tha mes të tjerave në fjalën e tij akademiku Vaso Tole. 

Tjetërsimi i folklorit, dëm për shoqërinë

Problemet në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale nuk janë të pakta, për prof. dr. Zana Shuteriqin, Shefe e Departamentit KMDP, Universiteti i Arteve. Shuteriqi theksoi se edhe Universiteti i Arteve mund të jetë i vyer duke ndërtuar politika më largpamëse ndaj disiplinave që sigurojnë mundësinë e njohjes së trashëgimisë, por dhe shfrytëzimit të saj. “MAS dhe MK duhet të ndërhyjnë që trashëgimia të vihet në breza. Fëmijëve iu mësojnë gjithçka në shkolla, por e gjejnë veten të huaj për të ruajtur atë pjesë të trashëgimisë nga zonat ku vijnë. Duhen politika dhe strategji nga institucionet.

Kur flitet për këto probleme, për tekstet e muzikës apo kurrikulat vetë Universiteti i Arteve nuk pyetet prej 20 vitesh”, tha mes të tjerave prof. dr. Zana Shuteriqi. Drejtoresha e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, prof. dr. Miaser Dibra, në lidhje me problemet në trashëgiminë jomateriale u ndal në folklorin shqiptar, duke theksuar se sot ekzistojnë mendime të gabuara për folklorin. “Shikohet si demode dhe si diçka e prapambetur nga njerëzit që e specifikojnë rëndom. Sot në media shikojmë tjetërsimin e folklorit në duart e të paditurve dhe ky është një dëm i madh për shoqërinë tonë ”, theksoi mes të tjerave prof. dr. Miaser Dibra. Në fund të këtij takimi pritet hartimi i një raporti, ku të përmblidhen problematikat, evidentimet dhe zgjidhjet e sugjeruara nga specialistët. Nga